

Është drejtuesi i programit “Hapur” dhe këshilltar për median i IREX/Europe në Tiranë. Një nga gazetarët më të njohur në Shqipëri për opinionet përgjithësisht kritike ndaj të gjithë pushteteve të derisotëm, që publikon në shtypin e përditshëm si Gazeta “Shqip” por edhe të shprehura në debatet televizive që organizojnë televizione të ndryshme. Tre herë fitues i çmimit të Fondacionit Soros për gazetarinë. Fitues në vitin 2007 i çmimit të publikut "Opinionisti i vitit" organizuar nga gazeta "Tirana Observer".
Me një përvojë rreth 20 vjeçare në gazetari Andrea Stefani është i njohur prej kohësh edhe për aktivizimin qytetar në lëvizje të ndryshme si ato me “Zyrën për Mbrojtjen e Qytetarëve” apo lëvizjen “Mjaft” në luftën kundër korrupsionit dhe monopoleve të krijuara nën ish-qeverisjen socialiste. Një vokacion të tillë ai e ka shpalosur edhe pas ardhjes në pushtet të demokratëve si kundër tendencave autoritariste për kapjen e institucioneve të pavarura, shantazhimin e mediave si Top Chanel dhe Gazeta Tema ashtu edhe kundër korrupsionit të qeverisjes së demokratëve të materializuar në një sërë skandalesh. I afërt është bashkëpunimi i Andrea Stefanit edhe me shoqatat dhe aktivistët e mbrojtjes së mjedisit, si për të kundërshtuar disa projekte kërcënuese për mjedisin të qeverisë Berisha në gjirin e Vlorës, ashtu edhe për të kundërshtuar disa projekte të Bashkisë së Tiranës, drejtuar nga socialistët, që shtyjnë drejt betonizimit të Kryeqytetit.